Komuna e Tetovës do të organizoj referendum për largimin e kazinove dhe bastoreve nga qyteti. Këtë e konfirmoi kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, pas debatit të organizuar nga Lëvizja Antibixhoz, nga ku edhe doli kjo kërkesë.
Ekspertët vlerësuan se referendumi nuk do të ketë ndikim për ndryshime ligjore, por të paktën do të përcjell një porosi, për qëndrimin e banorëve të Tetovës mbi lojërat e fatit.
“Ne sot do të japim sfidën e radhës, referendumin gjithë popullor, i cili do të mbështetet dhe argumentohet, me çka nga ky debat do nxirren edhe konkluzat me të cilat do të obligohet këshilli komunal që bashkë të zgjedhim çështjen e lojërave të fatit. Pra do e obligojmë këshillin komunal që me çdo kusht ta heqim këtë problem të kamotshëm”, deklaroi Xhemal Abdiu, Lëvizja Antibixhoz.
“Jemi në konsultim me ekspertët e çështjes që të gjejmë bazë ligjore që komuna të organizojë referendum. Sa i përket aspektit financiar sigurisht që për ne si pushtet lokal, edhe përkundër gjendjes financiare në të cilën ndodhemi, do gjejmë mënyrë dhe forcë që gjithë këtë aktivitet ta organizojmë”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.