Site icon Telegrafi

Komuna e Tetovës: Spitalet modulare, kompetencë e MSh-së

Nga komuna e Tetovës kanë theksuar se kompetencat për spitalet modulare i takojnë pushtetit qendror. Në një njoftim për mediat nga komuna thonë se “Ndërtimi i spitalit modular në Tetovë është bërë me ligj të posaçëm, ku të gjitha kompetencat janë të drejtuara në nivelin qendror, përkatësisht në Ministrinë e Shëndetësisë”.

Nga Komuna e Tetovës thonë se me ndryshimet e fundit në Ligjin për Ndërtim të publikuara në Gazetën Zyrtare në nëntor të vitit të kaluar, është shtuar që “kërkesa për realizim ose vendosje të ndërtesave modulare, të destinuara për kryerjen e veprimtarisë shëndetësore, parashtrohet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe aktvendimin e lëshon Ministria e Shëndetësisë”.

Në reagimin e komunës së Tetovës gjithashtu theksohet se Inspektorët komunal nuk kanë kompetencë ligjore për të kontrolluar objektet dhe ndërtesat e veçanta të kategorisë së parë, ndërsa sistemet e sigurisë dhe shuarjes së zjarrit si dhe kontrolli i funksionalitetit të tyre janë gjithashtu në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Spitali Modular, thonë nga komuna, është ndërtim i kategorisë së parë dhe për të njëjtin inspektim mbikëqyrja kryhet nga inspektorati shtetëror në bazë të nenit 128 paragrafi (2) të Ligjit për Ndërtim. Ndërsa instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimeve, janë në kompetencë për ndërtim nga kompania kontraktuese, kurse komuna ka bërë vetëm kyçjen e tyre.

Exit mobile version