Komuna e Tetovës sot e shpalli “Qytetar nderi” shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare.
Në fjalimin e tij në hapësirat e Komunës së Tetovës, Kadare tha se ndjehet i vlerësuar për këtë akt nga komuna, duke shtuar se e ka të vështirë të flas para lexuesve në një prej qyteteve iliro-shqiptare.
“Nuk e kam lehtë të flas para jush, jo se nuk e di të them fjalë, por se çaste të tilla janë të rralla në jetën e shkrimtarëve, të jetë përpara lexuesve në një prej qyteteve iliro-shqiptare. Këto janë çaste që çdo shkrimtar në botë ëndërron t’i përjetojë, pasi jeta njerëzore ushqehet nga ngjarje të këtilla. Iu falënderoj të gjithëve që erdhët në këtë sallë për të më takuar. Unë kur dëgjoj fjalët tuaja për atë që kam shkruar, harroj çdo mundim që kam përjetuar. Nuk ka vlerësim më të madh për mua, kur njerëzit presin të dëgjojnë diçka më tepër”, tha mes tjerash Kadare.
Ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se kjo është ditë e veçantë për qytetin e Tetovës.
“Ditë e veçantë për tetovarët, jemi të nderuar dhe krenarë që sot shpallim qytetar nderi shkrimtarin e madh, Ismail Kadare. Jemi me fat që jetojmë në kohën e Ismail Kadare”, tha me këtë rast kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami./Telegrafi/