Nxënësit e disa rajoneve të Tetovës sot kanë ardhur nëpër shkolla në qytet duke e paguar transportin vetë, pasi që komuna nuk i ka kryer obligimet financiare ndaj disa transportuesve të nxënësve, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Këshilli i transportuesve bën të ditur se është realizuar një takim me përfaqësues të arsimit të komunës së Tetovës, me të cilët është arritur një marrëveshje për pagesën e borxhit, kështu që transportimi i nxënësve do të vazhdojë rregullisht nga dita e nesërme.
Daut Fazliu nga kompania ”Fert Atomik” për Alsat-M thotë se ”ka ngecje në pagesë, kështu që janë grumbulluar disa borxhe dhe mundësitë tona u shterën. Nuk kishim mundësi për t’i bartur nxënësit, por më në fund gjetëm zgjidhje. është një borxh i madh që u zotuan se do ta paguajnë ditëve të ardhshme”.
Nga ana tjetër, Ahmed Qazimi nga komuna e Tetovës tha se bëhet fjalë për borxh të trashëguar nga mandati paraprak, duke mos bërë publike shumën e borxhit ndaj kompanive transportuese.
Një nxënëse është shprehur se ”nuk kishim me çka të vijmë, kemi paguar taksinë privat dhe kemi ardhur. Shumë shpesh ndodh kjo që nga fillimi i vitit”.
Jozyrtarisht, mësohet se ky borxh ka arritur në 1 milion euro./Telegrafi/