Edhe gjatë ditës së djeshme (e premte) nëpër disa shkolla të mesme në orët e mëngjesit ka pasur bojkot të mësimit për shkak të mos lëshimit të rrogave dhe vonesave për shkak të problemeve me zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës, shkruan gazeta Koha. Ndonëse të martën Qeveria obligoi Ministrinë e Financave që të lexojë buxhetet e Komunës së Çairit, Tetovës, Tearcës dhe Gostivarit megjithatë profesorët nëpër shkollat e mesme që nuk kanë marrë pagat kanë bojkotuar mësimin në shenjë revolte.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se që nga dita e djeshme ka filluar me pagesa dhe e njëjta vazhdon, ndërsa nënvizoi se “Këshilli komunal i Tetovës, ashtu siç e keni parë dhe ju, para 31 dhjetorit ka votuar Buxhetin me shumicë votash, pikërisht për të mos e lejuar që qytetarët dhe të gjithë ta të cilët janë të lidhura me pagesa administrative mos kenë problem të kësaj natyre”.
“Ministria e Financave gjatë dy javëve të para nuk e ka lexuar buxhetin dhe që është shkaktuar vonesë lidhur, jo për shkak të vendimit që ne kemi sjell në kohë, po për shkak të leximit të vonuar. Ditën e martë, pra këtë të martë Qeveria ka sjellë një konkluzë, ku ka kërkuar që Ministra e Financave të lexojë buxhetin, buxheti ynë është lexuar dje dhe që dje ka filluar po ashtu janë lëshuar edhe vlerësimi i rrogave për arsimtarët dhe në të njëjtën kohë për administratën dhe të gjitha institucionet e tjera edhe nëse ka ndonjë pakënaqësi – ato adresën e kanë diku tjetër, sigurisht nuk e ka në Komunën e Tetovës”, deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Ajo ka mohuar se zjarrfikësit e Tetovës janë dy muaj pa rroga, duke nënvizuar se sistemi financiar është funksional që prej ditës së sotme. “Nuk janë dy muaj pa rroga, pra rrogën e fundit e kanë marrë në muajin dhjetor, kurse rrogën tjetër e marrin këtë vit – në muajin janar. Nuk kanë qenë asnjëherë pa rroga as zjarrfikësit, as administrata dhe askush tjetër. Është një problem administrative dhe e dini që ka të bëje me buxhetin, edhe atëherë thash edhe përsëri ju falënderohem këshilltarëve të komunës së Tetovës që pavarësisht bindjeve politike, vendosën të mbështesin buxhetin me qëllim qoftë pak edhe me vonesë, po sistemi të funksionojë. Sistemi financiar është funksional që prej sot në mëngjes”, tha kryetarja Arifi. Në ndërkohë, ajo ka theksuar se ende janë duke zhvilluar bisedime për të krijuar shumicën në Këshillin e Komunës dhe për të zgjedhur kryetarin e Këshillit.
“Ne do ti vazhdojmë bisedimet tona ndërmjet grupeve të këshilltarëve edhe besoj që në atmosferën e marrëveshjes dhe mirëkuptimit, siç e kemi pasur edhe gjatë tërë këtyre muajve, pa marrë parasysh që nuk kemi pasur të zgjedhur kryetar këshilli, dhe tani të bëjmë një zgjedhje që do ta bëjë akoma më aktiv Këshillin e komunës”, tha ajo.
Ndërkaq, lidhur me seancën e jashtëzakonshme me të cilën ka udhëhequr këshilltari Adnan Bilalli, i cili pasi u zgjodh kryetar këshilli, komuna anuloi vendimin, kryetarja Arifi sqaroi se deri në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit me seancat udhëheq këshilltari më i vjetër.
“Njoftimet vijnë gjithmonë me emrin dhe mbiemrin e kryesuesit më të moshuar dhe kryesuesi më i moshuar është ai që thërret mbledhjet deri në zgjedhjen e kryesuesit. Në thirrjet për Këshill ai shkruhet si kryesues më i moshuar dhe jo si kryetar. Ne atëherë e bëmë të qartë se kishim mungesë të një vote që nuk parashihej ligjërisht dhe normal nuk deshëm të bëjmë të ligjshme diçka që nuk ishte komplet në suaza të ligjit”, deklaroi Arifi./koha.mk/