Komuna e Tetovës njoftoi se është formuar shtab i krizës pasi që meteorologët paralajmëruan mot të ligë për shkak ciklonit “Andrea”.
Nga atje njoftojnë se janë në gatishmëri të plotë të gjitha ekipet mobile të ndërmarrjes publike komunale dhe të Njësisë territoriale kundër zjarrit nga Tetova, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Këto njësi tashmë janë në terren dhe punojnë në mënyrë intensive në pastrimin e kanaleve në gjithë komunën me gjithë kapacitet në disponim, mekanik dhe njerëzor”, kumtojnë nga komuna e Tetovës.
Ata bëjnë apel qytetarëve të mos parkojnë automjetet e tyre në afërsi të kanaleve me qëllim që të bëhet në kohë intervenimi i grupeve mobile.
“Gjithashtu, ju bëjmë thirrje qytetarëve të mos mbesin në hapësirë të hapur ose nën drunj të vetmuar. Këto 48 orë shmangni daljet e panevojshme, ndërsa në rast të reshjeve intensive dhe përmbytje mund të paraqiteni në numrin 193, dhe 072 798 910 Qendra për informim dhe koordinim në SPB Tetovë”, thonë nga komuna e Tetovë./Telegrafi/