Site icon Telegrafi

Komuna e Tetovës e pastron deponinë në hyrje të Tetovës (Video)

Një problem shumëvjeçar i banorëve të lagjes Drenovec në Tetovë duket se është zgjidhur, të paktën për një periudhë të caktuar edhe pse pas ankesave disa javore të banorëve.

Pas kronikës së transmetuar në Televizionin SHENJA për deponinë ilegale të ngritur nga persona të papërgjegjshëm të cilët hidhnin mbeturinat para dyerve të shtëpive dhe në rrugën kryesore, Komuna e Tetovës nxori në terren ekipet e ndërmarrjes Komunale publike dhe informoi se mbeturinat janë grumbulluar. Por, një ditë pas shiheshin se mbeturinat ishin larguar pjesërisht, ndërsa një pjesë e madhe e tyre ishte zhvendosur vetëm disa metra më tej, por në të njëjtën rrugë.

Pas disa ditë heshtje nga autoritetet komunale dhe ankesave të njëpasnjëshme të banorëve, Forumi rinor i Lëvizjes BESA të shtunën paralajmëroi për sot një aksion për pastrimin e mbeturinave nga kjo lagje. Por, sot edhe pse e diel, që në orët e hershme të mëngjesit, Komuna e Tetovës kishte nxjerrë përfundimisht në terren ekipet e NPK Tetovë dhe para orës së caktuar për aktivitetin e të rinjve të Lëvizjes BESA, mbeturinat ishin pastruar dhe larguar përfundimisht nga kjo rrugë. /Telegrafi/

Exit mobile version