Policia e Tetovës i ka kthyer përgjigje negative kërkesës së Komunës së Tetovës për ndërtimin edhe të një unaze në Bulevardin “Vidoja Smilevski Bato” që ndryshe njihet si rruga industriale, shkruan gazeta KOHA. Sipas policisë, projekti ka mangësi teknike. Pas kërkesës së Sektorit për veprimtari publike në Tetovë dërguar tek Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, kjo e fundit ka bërë të ditur se dokumentacioni është në kundërshtim me planifikimet urbanistike.
“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë më 23 janar, të këtij viti edhe zyrtarisht i është përgjigjur Komunës së Tetovës, gjegjësisht Sektorit për veprimtari publike dhe Sektorit për mbrojtje të ambientit jetësor për dhënien e pëlqimit për ndryshim të regjimit të komunikacionit në bulevardin “Vidoja Smilevski Bato”, të një kryqëzimi me katër korsi, në një udhëkryq me unazë.
Nga dokumentacioni i dorëzuar ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Tetovës kanë dalë në teren dhe nuk janë pajtuar që të japin pëlqim, sepse kërkesa është në kundërshtim me nenin 72 të rregullativës për standardet dhe normat e planifikimit urbanistik”, tha për KOHA, Marijan Joisfovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Më tej nga policia njoftojnë se parashtruesit të kërkesës po ashtu i janë dhënë edhe udhëzime që të mënjanohen mangësitë në dokumentacionin teknik që të jepet përgjigje pozitive.
Në ndërkohë nga Komuna e Tetovës, kanë njoftuar se pasi që kanë marrë udhëzimet dhe rekomandimet e Policisë kanë dorëzuar sërish kërkesën.
“Ne kemi marrë përgjigjen bashkë me udhëzimet dhe janë bërë përmirësimet në dokumentacionin teknik dhe janë dorëzuar sërish në polici. Tash jemi në pritje të përgjigjes pozitive nga ana e policisë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Kjo nuk është hera e parë që policia kthen përgjigje negative për ndërtimin e unazave në territorin e Komunës së Tetovës. Një përplasje të kësaj natyre kishte edhe para një viti kur policia nuk pajtohej që të ndërtohej unazë afër shkollës së mesme të muzikës dhe pas shumë përplasjeve më në fund policia ishte përgjigjur pozitivisht.
Ditë më parë ekspertët e komunikacionit shtruan nevojën e ndërtimit të një unaze më të madhe dhe të shpejtë në këtë bulevard të Tetovës. Sipas tyre, ndërtimi i unazës do të rregullonte dhe përmirësonte komunikacionin në këtë pjesë të qytetin e Tetovës.