Site icon Telegrafi

Komuna e Strugës kërkon që të respektohet rendi publik, të mos të dilet nëpër qytet me bikini

Jo me rroba banje në qytet. Komuna e Strugës kërkon që të respektohet rendi publik dhe të mos të dilet nëpër qytet me bikini. Për këtë komuna e cila drejtohet nga kryetari Ramiz Merko vendosi edhe shenja ndalese në rrugë, ndërsa për ta ndaluar lakuriqësinë dolën me një shkrim në faqen zyrtare në facebook.

“Me qëllim respektimin e rendit publik, sidomos gjatë sezonit veror turistik, përgjatë shëtitores qendrore (prej te Ura e Çarshisë dhe deri te Tregu i Gjelbër), ndalohet shëtitja me bikini dhe brekë plazhi gjatë gjithë ditës. I lusim të gjithë mysafirët dhe turistët, të cilët po freskohen në liqen apo te Drini i Zi, që t’i respektojnë rregullat e mirësjelljes dhe të rendit publik, duke mos shfaqur lakuriqësi në sipërfaqe dhe hapësira publike”, thonë nga komuna e Strugës.

“Ditë më parë Komuna e Strugës solli vendim që në qytetin e Strugës të mos ecet me rroba plazhi, ky vendim ngjalli reagime në rrjetet sociale, megjithatë të shohim çfarë thonë Struganët për këtë?”, raporton gazetarja Salije Sadiku.

“Unë vij nga vendi i kangurëve, nga deti nga plazhet, por në çarshi të këtillë nuk ngjan, nuk jam nga moda e vjetër jam nga kjo botë por nuk ngjan, dihet ku është plazhi, ku jo”

“Vend turistik është duhet secili të shkoj ashtu si do, nuk mund ta ndalosh t’i thuash mos shko kështu mos shko ashtu”

“Po në rregull duhet të jetë, në rregull është”

“Besoj se është shumë në rregull, besoj se edhe qytetarët duhet të ambientohen me këtë”

“Unë mendoj që kanë të drejtë, me rroba banje në shëtitore nuk duhet të shkohet, për rrobat e banjës ka plazh ku mund të dilet”
“Mendoj se është në rregull, sepse është vend publik duhet të jemi të veshur”
Ndryshe qyteti i Strugës shtrihet buzë liqenit, ndërsa pushuesit shpeshherë nga plazhi kalojnë në qytet me veshje plazhi. Tani për tani komuna vetëm ka lutur qytetarët të respektojnë rendin, por nuk ka dhënë detaje nëse do të ketë gjoba.

Exit mobile version