Site icon Telegrafi

Komuna e Skenderajt shpërblen djaloshin i cili kishte treguar shembull duke ndihmuar të pastrojë rrëmujën pas përmbytjeve

Komuna e Skenderajt ka qenë njëra prej komunave më të prekura nga përmbytjet e 19 janarit.

Donarti, 5-6 vjeçar pasi kishte pushuar shiu, ishte fotografuar me një lopatë teksa bënte përpjekje për të pastruar bërllokun që kishin sjellur përmbytjet.

Fotografia e tij u bë virale në rrjetet sociale.

Të mërkurën, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, veprimin e tij e kishte cilësuar si inspirim dhe shembull pozitiv.

Nura, ka shpërblyer Donartin me 1.000 euro si dhe mirënjohje për veprimin e bërë.

“Djaloshi hero me lopatë në dorë që po përpiqej pas vërshimeve të pastrojë rrëmujën e krijuar nga fatkeqësia natyrore, për t’u bërë inspirim i ynë dhe frymëzim i shembullit pozitiv se, pas gjithë asaj çfarë na ndodhi, ne bashkërisht do të RINGRIHEMI”, shkroi Nura.

Ditë më parë, kreu i Skenderajt, ka njoftuar se iu janë drejtuar Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Komisionit Qendror të Qeverisë për kompensimin e dëmit në vlerën e 12,203,029.29 eurove.

Nura ka deklaruar se 372 familje janë prekur nga vërshimet e 19 janarit.

Po ashtu Komuna e Skenderajt hapi një fond për dëmet e shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi/

 

Exit mobile version