Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar sot se komuna është pajisur me Mamograf digjital për identifikimin e kancerit të gjirit.
“Siç njoftuam para disa ditëve dhe siç kemi premtuar para marrjes së mandatit: Komuna e Shtimes nga sot u bë me Mamograf digjital për identifikimin e kancerit të gjirit,” ka deklaruar Aliu.
Ai shtoi se mamografi i ri është i teknologjisë së fundit nga marka italiane Geneal Medical Meratte – Giotto (GMM) dhe tashmë është në dispozicion të pacientëve në QKMF-në “Dr. Vezir Bajrami.” Pajisja do të ndihmojë në zbulimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.
Aliu gjithashtu falënderoi kompaninë “Medica” për donacionin e rëndësishëm, duke theksuar se ky është një moment historik për komunën.
Ai njoftoi gjithashtu se vajzat dhe gratë në Shtime do të kenë akses në shërbime të tjera shëndetësore, përfshirë ekografitë e gjirit, vizitat gjinekologjike dhe analizat për paptestin.
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, të gjitha gratë e diagnostikuara me këtë sëmundje do të kenë analizat falas për një vit në poliklinikën “Avicena”.
Gjithashtu, u organizua një ecje sensibilizuese me qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta.
“Jemi bashkë në çdo hap dhe në krah të njëri-tjetrit në luftën kundër kancerit të gjirit. Duaje veten. Kontrollohu në kohë!” ka përfunduar Aliu./Telegrafi/