Telegrafi

Komuna e Prizrenit thellon performancën e dobët buxhetore

Organizata EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që të merr masa të menjëhershme për përmirësimin e performancës buxhetore, të hartoj një plan të duhur për arkëtimin efikas të borxheve, të hyj në dialog me qytetarët, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile për përmirësimin e arkëtimit të borxheve si dhe të zbatoj pa asnjë vonesë dhe në përpikëri rekomandimin nr. 16 të Auditorit të Përgjithshëm, ku thuhet “Kryetari i komunës duhet të ketë një çasje gjithëpërfshirëse në trajtimin e këtij problemi, si në kuptimin e planifikimit ashtu edhe në vendosjen e mekanizmave efektiv për reduktimin në nivel të pranueshëm të këtyre borxheve. Menaxhmenti duhet të inicioj një proces rivlerësimi, ku të gjitha llogaritë do të analizohen në kuptimin e vjetërsisë, shumave domethënëse, mundësive reale për inkasim dhe ushtrimin e masave administrative (nëse ka nevojë)”.

Kështu rekomandon kjo Organizatë, ngase sipas tyre, bazuar në të dhënat që figurojnë në këtë Raport del se borxhet që duhet të arkëtohen nga Komuna e Prizrenit janë rritur gjatë vitit të kaluar. Përderisa në vitin 2013 shuma e borxheve të arkëtueshme ka qenë 11 milionë euro, në vitin e kaluar kjo shifër është rritur dhe ka arritur tanimë në 12 milionë euro.

“Borxhet më të mëdha figurojnë nga tatimi në pronë dhe taksa komunale, që përbëjnë zërat kryesorë në të hyrat vetjake të Komunës së Prizrenit. Sipas të dhënave të Raportit të DEF-it, borxhet e arkëtueshme nga tatimi në pronë prej vitit 2002 deri në 10 dhjetor të vitit 2014 janë 6 milionë e 896 mijë euro. Ndërsa borxhi nga taksa komunale prej vitit 2001 deri në 10 dhjetor 2014 është 5 milionë e 173 mijë euro”, thonë ata.

Monitoruesit gjatë shqyrtimit të raportit kanë hasur në një raportim të pazakontë të DEF-it. Në faqen 3 të Raportit figuron e dhëna se pagesat e taksës së pronës deri në 10 dhjetor 2014 kanë qenë 1 milionë e 627 mijë euro nga 1 milionë e 573 euro që planifikoheshin të mblidheshin, me ç’rast indeksi i realizimit del të jetë 103.44%. Mirëpo në faqen 10 të Raportit figuron e dhëna tjetër se faturat e shtypura dhe të shpërndara për 2014 për tatimin në pronë arrijnë vlerën prej 2 milionë e 124 mijë eurove, ndërkohë që janë arkëtuar 1 milionë e 627 mijë euro.

Ndërsa sa i përket taksës komunale, në Raport janë paraqitur të dhënat se ngarkesa për taksa prej vitit 2001 deri në 10 dhjetor 2014 është 14 milionë e 526 mijë euro, derisa falja e borxheve për periudhën 2001-2006 kap shifrën 3 milionë e 830 mijë euro, që d.m.th se ngarkesa pas uljes së borxheve është 10 milionë e 696 mijë euro. Pagesa për taksë komunale prej vitit 2001 deri në 10 dhjetor 2014 është 6 milionë euro derisa borxhi nga taksa komunale prej vitit 2001 deri në 10 dhjetor 2014 është 5 milionë e 173 mijë euro.

Ky bilanc i borxheve të farkëtueshme, sipas “EC Ma Ndryshe”, është mjaft i madh marrë parasysh edhe faktin që Komuna e Prizrenit disa muaj më parë kishte krijuar grupe të veçanta, të përbërë nga zyrtarët e Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave (DEF) dhe të Drejtorisë së Inspektorateve (DI), që kanë pas për detyrë grumbullimin e borxheve të papaguara në emër të taksës komunale, tatimit në pronë dhe të hyrave tjera vetanake. Këto grupe kanë realizuar aksion për mbledhjen e të hyrave vetjake me kërkesë të lidershipit komunal. Sipas raporteve mediale në terren kanë qenë pesë grupe të kombinuara të zyrtarëve komunal.

Vlen të theksohet se Komuna e Prizrenit prej vitesh po ballafaqohet me dobësi të theksuara në planifikimin dhe arkëtimin e të hyrave vetanake, gjë që po reflektohet edhe në realizimin e buxhetit komunal. Përfaqësues nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm gjatë një tryeze të organizuar nga “EC Ma Ndryshe” patën bërë të ditur se shuma e përgjithshme e të hyrave të paarkëtuara në komunën e Prizrenit deri në fund të 2013-s arrinte në 11 milionë euro. Ata patën rekomanduar ndërmarrjen e masave për arkëtimin e këtyre borxheve, në atë mënyrë që qeveria lokale të koordinohet me qeverinë qendrore në realizimin e fushatave përkatëse.

EC Ma Ndryshe ka kërkuar sqarime nga DEF se përse gjatë vitit 2014 është rritur shuma e borxheve të arkëtueshme?, pastaj çfarë masa janë marrë për inkasimin e borxheve të arkëtueshme? edhe a ka pas kontakte me Qeverinë e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar? Zyrtarët komunal janë arsyetuar se nuk mund të ofrojnë sqarime pa raportuar në MEF, më 31 janar 2015, për këto çështje.

Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe konsideron se Komuna e Prizrenit e ka thelluar performansën e dobët buxhetore. Madje qeveria komunale ka mundësuar ngritjen e dyshimeve legjitime mbi aftësinë e menaxhimit të buxhetit respektivisht kryerjen e detyrave të saj, pasi që borxhet e arkëtueshme tashmë i janë afruar shifrës vjetore që Komuna e Prizrenit i shpenzon për investime kapitale. /Telegrafi/