Ndërtesa e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Hoqë e qytetit të Komunës së Prizrenit që ishte përuruar para afër nëntë vitesh, aktualisht është në gjendje të rëndë si pasojë e dëmtimeve të shumta.
Mos funksionalizimi i kësaj hapësire dedikuar aktiviteteve kulturore dhe organizimeve tjera, përgjatë viteve të shkuara, ka bërë që pjesa e brendshme e ndërtesës të demolohet dukshëm, dhe aktualisht të jetë e pashfrytëzueshme, raporton Telegrafi.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina ka pranuar se kjo ndërtesë është në gjendje të palakmueshme, pasi brendia e saj është demoluar pothuajse në tërësi.
“Shtëpia e Kulturës në Hoqë të qytetit thuajse është e demoluar. Një Shtëpi e Kulturës që është nisur ndoshta para më shumë se 10 viteve, realisht aty kanë përfunduar punimet, mirëpo duke mos u funksionalizuar objekti në përgjithësi pastaj janë shkaktuar probleme dhe pasoja të tjera, që Shtëpia e Kulturës në Hoqë të qytetit thuajse ka qenë tërësisht e demoluar”, ka thënë Morina.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit ka iniciuar aktivitetin e prokurimit për rirregullimin e kësaj Shtëpie të Kulturës. Ai ka sqaruar se pas trajtimit të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, tashmë është përzgjedhur operatori ekonomik për realizimin e punimeve në këtë ndërtesë.
“Duke pasur parasysh kërkesën e banorëve për rifunksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës në Hoqë të qytetit, kemi marrë veprime të duhura si drejtori dhe si Komunë e Prizrenit dhe realisht kemi ndjekur procedurat tenderuese që nga muaji shkurt. Mirëpo për arsye se lënda ka shkuar në OShP për herë të dytë, tani na është kthyer, është bërë vlerësimi i lëndës apo i tenderëve dhe është shpallur fituesi, i cili do të fillojë punimet. Brenda kësaj jave fillojnë punimet në Qendrën kulturore në Hoqë të qytetit”, ka deklaruar Morina për Telegrafin.
Tutje ka shtuar se shkaku i dëmtimeve, nevojitet punë e konsiderueshme për ti rirregulluar hapësirat e brendshme të kësaj ndërtese.
“Po uroj dhe po shpresoj që brenda vitit 2025, Shtëpia e Kulturës në Hoqë të qytetit të lëshohet në dispozicion për komunitetin artistik dhe banorët e Hoqës së qytetit. Është një objekt goxha i demoluar, ka nevojë për një punë jashtëzakonisht të madhe për të investuar, mirëpo ne si drejtori jemi të përgatitur dhe i kemi të gjitha mjetet. Po urojmë e shpresojmë që kompania e cila e ka fituar tenderin të jetë serioze dhe ti përmbahet planit, i cili është nënshkruar në kuadër të drejtorisë dhe menaxherit të kontratës brenda drejtorisë. Po uroj që në vitin 2025 të lëshohet në punë Shtëpia e Kulturës në Hoqë të qytetit”, është shprehur Morina.
Ndërtesa e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Hoqë e qytetit të Komunës së Prizrenit ishte përuruar në dhjetor të vitit 2015, dhe autoritetet komunale atëherë patën deklaruar se vlera e investimeve në këtë projekt kapital ka qenë afër 400 mijë euro. /Telegrafi/