Reshjet e sotme të borës sikurse edhe viteve të tjera kanë “zënë në befasi” disa komuna të Kosovës.
Në kryeqytet mëngjesin e sotëm disa rrugë kanë qenë të bllokuara për shkak të një shtrese të hollë të akullit, ku edhe u shkaktuan disa aksidente.
E pavarësisht asaj që Komuna e Prishtinës ka kontraktuar 6 kompani për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit, angazhimi i tyre nuk u vërejt edhe aq sot.
Madje për këtë sot reagoi edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
“Askush nuk mund të arsyetohet se ‘jemi zënë në befasi’ dhe se bora ka rënë përkundër parashikimeve tona dhe duhet të vendoset një rregull dhe një standard për mirëmbajtjen e rrugëve pavarësisht se kush do ta udhëheq komunën e Prishtinës. Qytetarët paguajnë taksa për shërbime sikur edhe taksa për rrugë prandaj duhet t’i marrin këto shërbime me kohë dhe në përputhje me nevojat e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Mirëpo ndryshe thonë në Komunën e Prishtinës, të cilët në një përgjigje për Telegrafin thonë se të gjitha kompanitë kontraktuese sot kanë qenë në terren së bashku me epiket e Komunës së Prishtinës.
“Komuna ka të kontraktuara 6 kompani, të cilat po përkujdesen për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në zonën urbane e rurale, sipas kushteve të kontratës. Edhe sot, pas reshjeve të lehta të borës të gjitha kompanitë kanë qenë në terren së bashku me ekipet e Komunës së Prishtinës, ku janë përkujdesur që të gjitha rrugët në kryeqytet të jenë të kalueshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Prishtinës.
Më tej komuna ka theksuar se ngecjet në komunikacion sot janë bërë për shkak të vozitësve të cilët nuk kanë pasur pajisje dimërore.
“Ka pasur disa ngecje në komunikacion dhe kjo për shkak se vozitësit nuk kanë pasur pajisje dimërore adekuate”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Komuna e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti ka theksuar se që nga 15 nëntori janë bërë të gjitha përgatitjet për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.
“Komuna e Prishtinës gjegjësisht Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim me kohë ka planifikuar mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të qytetit dhe rrugëve rurale. Sipas planit, sezoni veror fillon nga data 1 Prill dhe përfundon me 15 Nëntor, kurse sezoni dimëror fillon nga 15 Nëntori dhe përfundon me 31 Mars, që do të thotë se plani dinamik i punës për mirëmbajtjen e rrugëve për sezonin dimëror ka filluar nga 15 Nëntori”, thuhet në përgjigjen Komunës.
Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje e qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të kenë në rregull të gjitha pajisjet dimërore, të cilat janë të përcaktuara me dispozitat ligjore në fuqi. /Telegrafi/