Site icon Telegrafi

Komuna e Prishtinës më shumë kontrata për arsim e investime, pak në sport e kulturë

Sporti dhe kultura, dy prej fushave më të rëndësishme për zhvillimin sociokulturor të një komuniteti, nuk kanë marrë vëmendjen e duhur përgjatë viteve nga udhëheqja e Komunës së Prishtinës.

Kryeqyteti i Kosovës, që përgjatë viteve është përballur me vështirësi të mëdha në zgjidhjen e problemeve të përditshme të banorëve dhe realizimin e projekteve të mëdha, nuk e ka pasur asnjëherë mbështetjen e plotë të qeverisë qendrore, kryesisht për shkak të dallimeve politike si dhe për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

Sipas të dhënave të nxjerra nga platforma Kontratat e Hapura të Komunës së Prishtinës, që ishte zhvilluar nga organizata joqeveritare Open Data Kosovo, del që drejtoritë e Kulturës dhe Sportit kanë pasur nivel të ulët të nënshkrimit të kontratave nga drejtoritë përkatëse. Këto përfundime nxirren nga analizimi i të dhënave të tri viteve të fundit, nga viti 2017 pa përfshirë vitin 2020.

Numri i kontratave në bazë të drejtorive shfaq në vizualizim renditjen dhe numrin e kontratave të nënshkruara dhe të publikuara nga komuna, duke përfshirë edhe kontratat e nënshkruara nga vitet paraprake kur komuna udhëhiqej nga eksponentë të tjerë politikë.

Nga të dhënat ekzistuese të deponuara në këtë bazë të të dhënave, sektori i arsimit është i pari në renditje me 174 kontrata të nënshkruara, gjithnjë duke marrë parasysh të dhënat për kontratat e nënshkruara brenda tri viteve nisur nga viti 2017.

Kontratat e nënshkruara nga Drejtoria e Arsimit kryesisht lidhen me shpenzime që kanë të bëjnë me furnizim të objekteve shkollore për nevoja të mbarëvajtjes së procesit mësimor, ushqimit, transportit të nxënësve nëpër disa linja dhe investime të tjera.

Kategoria e investimeve, që kryesisht lidhet me rregullimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës në Prishtinë përbën shumën e dytë më të madhe të kontratave të nënshkruara nga komuna përgjatë tri viteve të fundit, me vetëm rreth 30 kontrata më pak se arsimi.

Investimet në administratë përbëjnë kategorinë e tretë më të lartë të nënshkrimit të kontratave, me 79 sosh, ndërkaq pason shëndetësia me 54.

Në vitin 2017, komuna përmes drejtorisë së arsimit kishte nënshkruar 48 kontrata, prej të cilave më të mëdhatë figurojnë të kenë qenë kontratat për shërbime lidhur me pastrimin e objekteve shkollore, konkretisht shkollat “Gjergj Fishta”, “Asim Vokshi”, “Ismail Qemajli”, “Abdyl Frashëri”, “Model” dhe shkolla të tjera. Operatorët ekonomikë “MSS” dhe “Beni” kishin marrë kontrata me vlerë 320,747 euro, përkatësisht 142,326 euro për pastrimin e shkollave brenda territorit të Komunës së Prishtinës në një periudhë 12 mujore, dy kontrata këto që janë me vlerën më të lartë të dhëna nga komuna brenda kësaj periudhe dhe për këto shërbime.

Viti 2018 ka qenë periudha kur investimet kapitale kanë dominuar agjendën e komunës, së paku duke u nisur nga numri i kontratave të dhëna nga komuna përgjatë atyre 12 muajve. Dy kontrata me vlerë të konsiderueshme me mbi apo rreth 1 milion euro janë dhënë gjatë këtij viti, kryesisht për ndërtim të rrugëve e trotuareve nëpër zona periferike të kryeqytetit ku përgjatë viteve të fundit është zgjeruar aktiviteti njerëzor.

Rrethrotullimi në Lakrishtë dhe Arbëri i kishte kushtuar komunës plot 1.15 milion euro në një kontratë ku vlera e tenderit ishte paraparë të jetë edhe më e madhe. Sipas të dhënave, Komuna e Prishtinës gjithnjë ka dhënë kontrata në vlerë të barabartë ose nën vlerën e parashikuar së vlerës së kontratës.

Për këtë çështje, Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave kishte nënshkruar kontratë me operatorin ekonomik “RSM Company” në fund të vitit 2018.

Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në lagjet e reja ka qenë një tjetër kontratë e madhe që komuna e ka dhënë po atë vit. Konkretisht, “Gashi Ing & Rahovica” si operator ekonomik kishte marrë 933,447 euro për kryerjen e punimeve për një periudhë 120 ditore nga fundi i muajit tetor 2018.

Ndërkaq, në vitin 2019, arsimi sërish ka marrë vëmendjen parësore të komunës, gjithnjë në bazë të të dhënave për shumën e kontratave të nënshkruara nga drejtoritë e komunës.

Pastrimi i objekteve shkollore, investimet në sistemet e ngrohjeve qendrore e furnizimi me qumësht dhe kifle përbëjnë kontratat më të mëdha të komunës të nënshkruara në kuadër të Departamentit të Arsimit për vitin e shkuar.

Zëvendësimi i kaldajave me naftë dhe instalimi i atyre me lëndë djegëse të peletit nëpër shkolla i kushtoi komunës rreth 197 mijë euro, kontratë që e kishte marrë kompania “Raketa” dhe që fillimisht komuna kishte parashikuar të kushtonte 250 mijë euro.

Kontrata e nënshkruar në nëntor të vitit 2019 për furnizim me qumësht për nxënësit e klasave të para deri në klasë të pestë, figuron në të dhënat e platformës Kontratat e Hapura me një vlerë të caktuar prej më pak se 700 mijë euro, porse të dhënat tjera të operatorit apo faktit nëse kontrata është dhënë dhe koha kur nuk figurojnë. Gjithashtu, kontratës së furnizimit me kifle për të njëjtin nivel të klasave është listuar si kontratë në vlerë prej më shumë se 260,000 eurosh, por të dhëna të tjera mungojnë.

Komuna e Prishtinës kishte filluar me tenderët për kifle dhe qumësht në shkolla me ardhjen e Shpend Ahmetit në krye të komunës, kryetar që tashmë është në mandatin e tij të dytë dhe projekti i furnizimit të shkollave me ushqim konsiderohet si një prej më të mëdhenjve të aplikuar gjatë qeverisjes së tij në komunë.

Në anën tjetër, investimet në sport e në kulturë janë në disproporcion të madh krahasuar me investimet në arsim e investime infrastrukturore. /Telegrafi/

Exit mobile version