Të gjitha bizneset përfituese të grantit për bizneset e prekura nga pandemia COVID-19 që për çfarëdo arsye nuk kanë arritur t’i dorëzojnë dhe kompletojnë dokumentet e kërkuara, do të mund të i dorëzojnë ato nga data 11-15 janar 2021.
Kështu ka njoftuar Komuna e Prishtinës, duke shtuar se dokumentet duhet të dorëzohen në katin e parë të ndërtesës së vjetër të komunës.
“Dokumentet e kërkuara janë: Letërnjoftimin valid, kopje në të dy anët; Konfirmimin e llogarisë bankare në emër të biznesit; dhe Çertifikatën e re të biznesit (që ka numrin unik identifikues ku fillon me 81 dhe është 9 shifror)”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ditë më parë, ai kishte njoftuar më shumë se 7 mijë mikro-biznese dhe biznese të vogla kanë aplikuar në fondin 5 milionësh të Komunës.
“Fondi do të ndahet në shuma të barabarta për dy nivele (grant më i vogël për mikro-bizneset). Lista do të publikohet shumë shpejtë dhe do të procedohet në Thesar për ekzekutim. Numri i madh i aplikimeve tregon për ndikimin ekonomik të pandemisë. 5 milion është pak por është maksimumi i mundësive tona si komunë”, kishte njoftuar ai.
Kurse, numri i bizneseve përfituese sipas Ahmetit është 4,941, prej tyre 1,976 mikro-biznese me nga 600 euro dhe 2,965 biznese te vogla me nga 1,300 euro.
“Lista e publikuar dhe përfituesit janë përcjell në Thesarin e Kosovës – Ministrinë e Financave. Fondet janë nga buxheti i Komunës së Prishtinës dhe si institucion kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe tashmë presim procedimin e ekzekutimit të pagesave nga Thesari”, kishte njoftuar Ahmeti. /Telegrafi/