Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se gjatë javëve të ardhshme do të nisin hulumtimet me teste serologjike për të gjetur përqindjen e qytetarëve që e kanë pasur coronavirusin, ndërsa tha se beson se ka shumë më shumë raste se sa janë konfirmuar deri më tani në këtë komunë.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se po ashtu do të bëjnë testimin e rasteve pozitive për të parë nëse kanë ndërtuar imunitet dhe testimin e punëtorëve të komunës, për të parë situatën në institucione.
““Prishtina ka marr strisho për tu testuar në IKSHP dhe rrjedhimisht ka më shumë të testuar se komunat tjera. Numri real duhet të jetë edhe më i lartë, por për shkak të numrit të vogël tê testeve Kosova nuk ka arritë të dijë numrin e saktë apo më të përafërt. Në javët në vijim si Komunë do ti bëjmë disa hulumtime me teste serologjike: Me mostër prej 1000 testeve për të gjetur prevalencen (përqindjen e atyre që kanë pasur virusin), testimin e rasteve pozitive për të parë se a kanë ndërtuar imunitet, testimin e punëtorëve të komunës për ta kuptuar situaten nëpër institucione”, shkruan Ahmeti.
Ai tha se beson se këto hulumtime dhe testimet e tjera do ta ndihmojnë IKSHP dhe komunat e tjera për ta kuptuar më mirë situatën.
“E besojmë se kjo mund te kontribuoj edhe për hulumtuesit e tjerë. Këtë do ta bëjmë në koordinim me Oden e Mjekeve dhe institucionet e tjera relevante”, shkruan Ahmeti. /Telegrafi/