Site icon Telegrafi

Komuna e Prishtinës rrit transparencën, publikon të dhënat online

Në mënyrë që të gjithë të interesuarit për punën e Komunës së Prishtinës të jenë më të informuar, nga sot kjo Komunë ka hapur të dhënat, të cilat mund të shkarkohen ‘online’.

Këtë e bëri të ditur drejtori i Administratës Publike në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi në një konferencë për media, ku prezantoi këtë platformë e cila bëhet për herën e parë në këtë Komunë.

Ai tha se kjo platformë është bërë me qëllim të transparencës më të madhe dhe zhvillimit lokal, derisa shtoi se tanimë të dhënat mund të merren nga individë dhe organizata pa pasur nevojë për të bërë kërkesë për qasje në dokumente publike.

Në këtë platformë janë të përfshira gjithsej 17 kategori, në mesin e tyre edhe puna e kryetarit të Komunës të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku janë të paraqitura të gjitha vendimet e marra nga ai si dhe shpenzimet.

Nushi sot gjithashtu paraqiti edhe të dhënat e matjeve të cilësisë së ajrit në Prishtinë për muajin prill, ku sipas këtyre matjeve lagjja Dardania është lagjja më e ndotur, ndërsa Bregu i Diellit rezulton të jetë lagjja më e pastër në Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version