Telegrafi

LDK dhe AAK bashkojnë forcat në Prishtinë, partia e Haradinajt do të udhëheq me tri drejtori

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka arritur marrëveshje për koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë.

AAK-ja në qeverisjen në Prishtinë do t’i ketë tri drejtori, atë të Administratës, atë të Sportit si dhe Drejtorinë e Mobilitetit.

Kështu është bërë e ditur nga Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për media ku thuhet se ka bërë një ristrukturim me qëllim të rritjes së efikasitetit të realizimit të projekteve.

Sipas njoftimit të lëshuar nga kjo komunë për shkak të rëndësisë së planifikimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe Fshatit Olimpik, si dhe rritjes së vëllimit të punës në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor me procesin e digjitalizimit përmes E-Leja, Arbër Sadiki do të përqendrohet në pjesën e planifikimit ndërsa Florent Maliqi do të mbulojë fushën e urbanizmit në veçanti të aspekteve ligjore dhe zbatimit të E-Leja.

“Gjithashtu, ekipit sot i janë bashkuar Valbona Vitija-Ajeti dhe Kushtrim Mushica për të udhëhequr punën në drejtoritë e administratës, përkatësisht të sportit”, thuhet në komunikatë.

Derisa Bardh Krasniqi së bashku me Vigan Kastratin sipas komunës do ta vazhdojë punën me një rol të rëndësishëm në strukturat planifikuese dhe organizative të Lojrave Mesdhetare 2030./Telegrafi/