Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se do të dërgojnë propozim në Kuvendin Komunal që çdo qytetari të Prishtinës që është i konfirmuar me coronavirus të subvencionohet me 50 euro.
Ahmeti ka thënë se shuma është modeste, por që këto janë kapacitetet e Komunës së Prishtinës, transmeton Telegrafi.
“Këto ditë do ta dërgojmë propozimin në Kuvendin Komunal që çdo qytetari të Prishtinës (zyrtarisht në regjistrin civil) që është i konfirmuar me Corona në listat e IKSHP të subvencionohet me 50 (pesëdhjetë) Euro në emër të shpenzimeve shëndetësore, jashta shërbimeve të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor. E dimë që është shumë modeste, por këto janë kapacitetet e Komunës tone”, ka shkruar ai në Facebook.
Ahmeti ka thënë se shpreson që Qeveria të shtojë subvencione të tilla për të gjithë qytetarët.
“Shpresojmë që qeveria të shtojë subvencionim të tillë për krejt qytetarët e Republikës së Kosovës. Për modalitetet e kriteret do të ju njoftojmë me kohë. Tashmë jemi dakorduar me partnerët e koalicionit në Pr e shpresojmë që të marrim mbështetjen e Partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, pohon Ahmeti.
Kujtojmë se nga data 13 nëntor, Komua e Prishtinës është vendosur në zonën e kuqe, për shkak të numrit të madh të rasteve pozitive me covid-19. Që nga ajo datë, qytetarëve u ndalohet lëvizja pas orës 19:00, po ashtu të ndaluara mbesin edhe aktivitetet tjetra./Telegrafi/