Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth problemeve me të cilat ballafaqohet komuniteti sportiv në qytetin e Prishtinës, në mënyrë që të fillohet nga përgatitjet për krijimin e një strategjie në funksion të të ardhmes së sportit.
Në këtë takim ishin prezent Blerta Zeqiri, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zyrtarë të drejtorisë, Rita Zeqiri, kampione e notit në gara ndërkombëtare, Donika Rexhepi, përfaqësuese e projektit për Komunën e Prishtinës nga UNDP, Sanije Krasniqi, anëtare e bordit të sportit shkollor, Valon Nikqi përfaqësues i organizatës për edukim sportiv nga OSEK, Fidan Shatri, MKRS, Baki Berisha nga gazeta ‘Zëri’ si dhe sportist nga fusha të ndryshme.
“Znj. Zeqiri para pjesëmarrësve prezantoi projektet e Komunës për Sport, buxhetin, investimet kapitale dhe subvencionet. Mungesa e sallave sportive për trajnime si dhe vështirësitë financiare te klubeve dhe sportisteve të pavarur sidomos atyre kulminant, mbeten problemet kryesore që u ngritën si shqetësim nga pjesëmarrësit”, është thënë në njoftimin e zyrës së informimit të Komunës së Prishtinës.
Sipas këtij njoftimi, përveç problemeve dhe kërkesave janë dhanë ide të ndryshme për zhvillimin e sportit në Prishtinë. /KP/Telegrafi/