Komuna e Prishtinës mbajti sot konferencën e parë për investime, ku u prezantuan 5 projekte të mëdha kapitale.
Sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, duke marrë parasysh kufizimet buxhetore, Komuna synon t’i realizojë këto projekte përmes partneritetit publiko-privat.
“Komuna e Prishtinës është e përkushtuar në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve, përmes ofrimit të shërbimeve cilësore dhe mundësive për zhvillim ekonomik. Nga instrumentet kryesore që Komuna i ka në dispozicion për arritjen e këtyre qëllimeve, janë investimet kapitale në infrastrukturë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se projektet që u prezantuan në këtë konferencë janë Pishina Olimpike prapa Pallatit të Rinisë; Parkingu nëntokësor tek Fakulteti Filologjik; Çarshia e Vjetër në qendër të Prishtinës; Kompleksi banesor dhe afarist në rrugën B; si dhe Stacioni Qendror i autobusëve.
Përveç Kryetarit Shpend Ahmeti dhe ekipit të tij që prezantuan projektet, pjesë e panelit në këtë konferencë ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell.
“Ai përgëzoi Komunën e Prishtinës për konceptin qeverisës që po ndjek, me theks të veçantë për masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, me ç’rast janë krijuar kushte të përshtatshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund bëhet e ditur se qëllimi i konferencës së sotme ishte informimi i investitorëve potencialë për parametrat kryesorë të këtyre projekteve, si dhe përfitimet dhe avantazhet e secilit projekt. /Telegrafi/