Komuna e Prishtinës nënshkroi sot Memorandum Mirëkuptimi me Shoqatën “Down Syndrome Kosovë” dhe Shoqatën e Autizmit.
Në bazë të këtij memorandumi, komuna e Prishtinës do të angazhohet për: caktimin e lokacionit për ndërtimin e Qendrës për trajtimin e personave me sindromën Down dhe Autizëm, sigurimin e një pjese të mjeteve financiare për ndërtimin e Qendrës, e cila do të caktohet në Kontratën e bashkëfinancimit, ndërtimin e Qendrës me parimin “çelësat në dorë” në bazë të projektit për të cilin duhet të merret edhe pëlqimi i Shoqatave, prezantimin e shpenzimeve të bëra gjatë ndërtimit të qendrës tek Shoqatat.
Ndërkaq, shoqatat do të angazhohen që mjetet financiare të grumbulluara nga Shoqatat në emër të ndihmave për ndërtimin e Qendrës, të derdhen në llogari të Komunës së Prishtinës me destinim ekskluziv për ndërtimin e Qendrës së lartcekur; të gjitha marrëveshjet eventuale në mes të Shoqatave dhe Kompanive e të cilat janë në funksion të kryerjes së punëve në dobi të Qendrës do t’i prezantohen Komunës; shërbimet që ju kanë ofruar shoqatave për ndërtimin e qendrës do të jenë në dispozicion për ndërtimin e Qendrës, shërbime këto që do të ndikojnë në uljen e kostos së ndërtimit. /Telegrafi/