Telegrafi

Komuna e Prishtinës ndan 100 mijë euro për ndihmë klubeve sportive

Foto: Arton Krasniqi

Kuvendi i Komunës së Prishtinës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar vendimin për pakon ekonomike emergjente pas situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë së coronavirusit.

Në mesin e 14 pikave të kësaj pakoje, KK i Prishtinës ka menduar edhe për klubet sportive të kryeqytetit.

“Subvencione për sport, në vlerë prej 100 mijë eurosh, për klubet në vështirësi për shkak të mosfunksionimit të garave”, shkruan në pikën 11 të pakos ekonomike emergjente.

Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdesen kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Drejtoria e Financave dhe drejtoritë tjera relevante.

“Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe publikimit në gjuhë zyrtare në ueb-faqen e Komunës”, thuhet në vendimin për miratimin e pakos ekonomike emergjente.