Komuna e Prishtinës ka rikujtuar se është i ndaluar rreptësisht qarkullimi i trotinetëve elektrikë, biçikletave, motoçikletave dhe mopedëve elektrikë në sheshe e hapësira publike ku ka frekuencë të lartë të këmbësorëve.
Kështu është bërë e ditur të shtunën përmes një njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të komunës në Facebook.
“Të nderuar qytetarë ju rikujtojmë se është ndaluar rreptësisht qarkullimi i trotinetëve elektrikë, biçikletave, motoçikletave dhe mopedëve elektrik në sheshe e hapësira publike”, kanë thënë nga komuna.
Që nga muaji gusht i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për ndalimin e trotinetëve, biçikletave dhe të gjitha mjeteve me veprim motorik ose elektrik në sheshet e kryeqytetit. Po ashtu është ndaluar lëvizja edhe në vendet ku ka frekuentim të madh të këmbësorëve.
Vendim të njëjtë një muaj më vonë e kishte marrë edhe Komuna e Mitrovicës e më pas edhe ajo e Pejës. /Telegrafi/