Site icon Telegrafi

Komuna e Prishtinës mohon se kryeqyteti i ka hapur rrugë privatizimit – shitjes së banesave komunale

Të martën Telegrafi ka publikuar një lajm me titull “Kryeqyteti i ka hapur rrugë privatizimit (shitjes) së banesave komunale”.

Artikulli është ndërtuar mbi bazën e vendimeve të komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës me 08 nëntor kishte publikuar një vendim në të cilën thuhej se “Miratohet ndryshimi dhe plotësimi i VENDIMIT Nr.14-020/04-148765/24, e datës 27.09.2023, për formimin e Komisionit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Në pikën II të vendimit të lartcekur, thuhet se  Vendimi Nr. 14-020/04-198271/23 i datës 27.09.2023 është ndryshuar dhe plotësuar”.

Pra sipas vendimit, është bërë zëvendësimi i një anëtari të komisionit.

Aty thuhet se anëtarja Bahitje Vllasaliu, e cila ishte përfaqësuese nga Drejtoria e Urbanizmit, është zëvendësuar me Jakup Dobratiqi, përfaqësues nga Drejtoria e Pronës dhe Kadastrit.

Megjithatë në vendimin në fjalë nuk ka asnjë paragraf apo sqarim se në cilin ligj është bazuar apo për cilat banesa bëhet fjalë.

Ndërkaq vendimi i ri është pjesë përbërëse e vendimit të mëparshëm që kishte ndodhur me 12.07.2022.

Hyrja në fuqi: Ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”, thuhet në këtë vendim të Përparim Ramës.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës përmes një reagimi, mohon se komuna po e bën një gjë të tillë.

“Vendimi i publikuar 14-020/04-148765/24 i dt.08.11.2024, nga portali ‘Telegrafi’ dhe ‘Demokracia’ përmes të cilit është bërë zëvendësimi i anëtarëve të komisionit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, bazohet në Ligjin nr. 04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, ku personat fizik sipas kushteve të këtij ligji, mund të blejnë banesën për të cilën ekziston e drejta banesore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për banesat në pronësi shoqërore ose Komuna, për banesat e të cilave pronari është i panjohur, e të cilat gjenden në territorin e komunës përkatëse (për banesat të cilat kanë qenë të ndara nga organizatat shoqërore)”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, Komuna ka sqaruar se komision si dhe kompetencat e të njëjtit, nuk kanë fare të bëjnë me banesat komunale që gjenden në Bregun e Diellit, Fushën e Pajtimit dhe në Hajvali, siç pretendohet.

E Telegrafi nuk ka përmendur në askund se për çfarë banesa bëhet fjalë.

Sqarim:

Telegrafi në lajmin paraprak e ka larguar lajmin në fjalë, derisa të marrë përgjigje zyrtare nga Komuna e Prishtinës për vendimin në fjalë.

Exit mobile version