Në kategorinë Shërbimi Publik më i mirë, Komuna e Prishtinës mori çmim për herë të tretë radhazi në Albanian ICT Awards. Në vitin 2016, Komuna është shpërblyer me çmimin e parë për projektin “E-Kiosku”, në vitin 2017 shkoi në finale me projektin “Platforma Digjitale për Particim Publik”, kurse në këtë vit shkoi në finale me projektin “Prishtina Open Data”.
“Ky projekt shërben për pasqyrimin e të gjitha informacioneve të mbledhura nga drejtoritë komunale me qëllim që këto shënime të përdoren më tutje në funksion të transparencës së plotë në komunë si dhe në funksion të zhvillimit lokal. Ky projekt është një element i rëndësishëm i qeverisjes së mirë dhe demokracisë në përgjithësi që i detyrojnë qytetet të kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet publike përmes transparencës dhe qasjes së lehtë në shërbime komunale të digjitalizuara në nivelin më të lartë”, njofton Komuna e Prishtinës, përcjell Telegrafi.
Zbatimi i këtij projekti është mundësuar nga UNDP dhe është realizuar teknikisht nga kompanitë vendore forTed dhe OSE L.L.C .
Deri më tani në këtë platformë janë 16 entitete, 59 datasete, 205 fajlla/statistika nga drejtoritë e ndryshme.
Poashtu, në kategorinë Mobiliteti i vitit kanë garuar dy projekte të implementuara në Komunën e Prishtinës: Trafiku Urban Prishtinë dhe Parashkollori. /Telegrafi/