Telegrafi

Komuna e Prishtinës kërkon ekspertë të jashtëm për përzgjedhjen e drejtorëve të institucioneve arsimore

Foto: Ilustrim

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka bërë thirrjen publike për ekspertë të jashtëm për të marrë pjesë në procedurat e rekrutimit të drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve në institucionet arsimore në Prishtinë.

Siç njofton Komuna e Prishtinës, kjo është praktikë që po bëhet për herë të parë.

“Duke e bërë këtë, ne jemi duke vendosur një standard të ri në udhëheqjen e arsimit në Prishtinë. Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati konsideron se menaxhimi i shkollave është jetik për funksionim të mirëfilltë të arsimit”.

“Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të Prishtinës lidhet ngushtë me mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit të shkollave dhe çerdheve. Prandaj, është me rëndësi tejet të madhe që procesin e emërimit të drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve të shkollave ta bëjmë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në njoftimin për media.

Konkretisht, bëhet e ditur se Ambasada Britanike përmes Projektit të Rekrutimit për emërime të zyrtarëve të lartë, do të mbështes komisionin rekrutues që do të bëjë përzgjedhjen e drejtorëve, duke ofruar trajnime profesionale se si duhet të zhvillohen proceset rekrutuese bazuar në merita.

“Në thirrjen publike të shpallur sot, ftohen të gjithë ekspertët e arsimit dhe anëtarët e Këshillit të Prindërve që plotësojnë kriteret e përcaktuara të aplikojnë për anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve”.

“Njëkohësisht, përmes jetësimit të këtyre standardeve ne po realizojmë edhe premtimet tona se transparenca, llogaridhënia dhe meritokracia do të jenë parimet tona të qeverisjes, që në qendër ka mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Prishtinës”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/