Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar gjoba për të gjithë ata qytetarë të papërgjegjshëm që gjuajnë mbeturinat jashtë kontejnerëve.
Përmes një postimi në Facebook ka komuna ka dokumentuar me foto se si qytetarë të papërgjegjshëm gjuajnë mbeturinat në trotuare.
“Hudhja e mbeturinave jashtë kontejnerëve, në trotuar a rrugë është e ndaluar me rregullore dhe ligj”, ka kujtuar Komuna.
“Hudhja e mbeturinave në këtë mënyrë gjobitet, dhe Kryeqyteti si institucion, duke u bazuar në rregullore e ligje do të përdorë mundësinë e shqiptimit të gjobës sepse një veprim i tillë është i patolerueshëm. Ju lutemi shumë, të keni kujdes, mos hudhni mbeturina jashtë shportave e kontejnerëve!”.
Komuna thotë se vetëm duke bashkëpunuar, ne mund ta mbajnë pastër mjedisin ku jetojmë.
Njëkohësisht autoritetet komunale kanë premtuar vendosjen e më shumë kontejnerëve nëpër lagjet e Kryeqytetit.
“Shumë shpejt do të vendosen kontejnerët e rinj nëpër lagjet e Kryeqytetit. Po punojmë vazhdimisht që të kemi sa më shumë shporta e kontejnerë për mbeturina, por na duhet patjetër edhe kujdesi juaj që të mos hedhni mbeturina aty ku nuk lejohet”.
Poashtu janë paralajmëruar edhe gjoba për të gjithë ata që parkojnë veturat në trotuare.
“Nuk do të tolerohen as makinat e parkuara në trotuare. Inspektorët tanë të palodhshëm bashkë me policinë vazhdimisht po punojnë që trotuaret të lirohen nga makinat, ndërsa punëtorët e Drejtorisë së shërbimeve publike do të vendosin pengesa për të mos lejuar parkimin e veturave në trotuare, sepse trotuaret janë për këmbësorë, jo për makina”, thuhet tutje në reagimin e Komunës së Prishtinës./Telegrafi/