Telegrafi

Komuna e Prishtinës: Intervenim i shpejtë për situatën emergjente në “Rrugën B”

Nënkryetari Muhedin Nushi, në konsultim me hidroinxhinierët komunalë dhe ata të Ujësjellësit, ka shpallur sot situatën emergjente për intervenim të menjëhershëm në Rrugën B.

Në njoftimin për media të komunës së Prishtinës thuhet se problemi me kanalizim në këtë lagje është pasojë e kyçjeve të gabuara të ndërtuesve shumë vite më parë, të cilët kanalizimin fekal e kanë lidhur me kanalizimin atmosferik të “Banesave të Bardha”.

Lexo po ashtu Banorët e Matit 1 protestojnë para komunës së Prishtinës

“Me shpalljen e situatës emergjente mundësohet intervenimi i shpejtë përmes negocimit me kompani, duke shmangur kështu nevojën e tenderimit që do ta zvarriste procesin dhe do ta thellonte problemin në fjalë. Kësisoj, Komuna e Prishtinës brenda 24 orëve do të fillojë punimet në atë zonë, në mënyrë që të lirohet gypi i kanalizimit, ta pastrohen podrumet, të bëhet deratizimi dhe dezinfektimi i nevojshëm”, thuhet në njoftimin e komunës. /Telegrafi/