Telegrafi

Komuna e Prishtinës heq mbeturinat nga lumenjtë

Pas vendosjes së kornizave të pusetave, vendosjes së kornizave të ujëmbledhësit, si dhe pastrimit të pusetave dhe gypave të kanalizimit të ujërave atmosferikë në 45 rrugë të kryeqytetit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në kuadër të planifikimeve të saj ka vazhduar me pastrimin e shtratit të lumenjve dhe kolektorit atmosferik.

Komuna e Prishtinës njofton se në Matiçan është pastruar përroska e cila tash e një kohë ishte shndërruar në deponi të mbeturinave.

“Në kuadër të kontratës për pastrimin e hyrje dhe daljeve të përroskave të qytetit, me qëllim të debllokimit të tyre nga mbeturinat dhe shkurret të cilat e bllokojnë rrjedhën normale të ujit. Në ndërkohë, është intervenuar edhe në një pjesë të përroskës që ndodhet në fshatrat Siqevë dhe Keqekollë, e cila ishte bllokuar si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Komuna e Prishtinës i fton të gjithë qytetarët që kanë probleme të ngjashme që t’i raportojnë ato në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit. /Telegrafi/