Telegrafi

Komuna e Prishtinës dhe Microsoft do të bashkëpunojnë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi është takuar me menaxherin e Microsoft për Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje, Sokol Vladi.

Sipas një njoftimi të Komunës së Prishtinës, gjatë takimit janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes Kryeqytetit dhe Microsoftit.

“Digjitalizimi i proceseve të punës, menaxhimi i informatave të brendshme, zbatimi i teknologjive të reja të Microsoft; ishin disa nga temat kryesore të këtij takimi”, thuhet në njoftim.

“Ekzekutivi i Kryeqytetit po angazhohet në vazhdimësi që të ngritë standardin e shërbimit përmes shfrytëzimit të hulumtimeve shkencore dhe përparimit teknologjik. Qytetarët e Prishtinës do të përfitojnë shumë nga zbatimi i teknologjive të reja në shërbimet që ofron administrata”, përfundohet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. /Telegrafi/