Site icon Telegrafi

Komuna e Podujevës zgjedh më të mirët: Ceremonia në nderim të veprës jetësore të Fadil Vokrrit

Komuna e Podujevës nën përkujdesjen e Kryetarit Agim Veliu, ka organizuar ceremoninë e shpalljes së Sportistit të vitit 2018, ku u nderuan me mirënjohje sportistë, klube dhe punëtorë sportivë dhe donatorë.

Në manifestimin e organizuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport (DKRS), përveç sportistëve dhe punëtorëve sportivë morën pjesë edhe Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, nënkryetari Agim Dibrani, Gramoz Vokrri – djali i legjendës së futbollit kosovar, tashmë të ndjerit Fadil Vokrri dhe mysafirë të tjerë të shumtë. Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, me këtë rast përgëzoi sportistët llapjanë për rezultatet e treguara gjatë vitit 2018.

Ai ka përshëndetur sportistët e dalluar, veteranët e sportit, kontribuuesit, donatorët, punëtorët sportivë, duke thënë se falë tyre janë arritur rezultate të shënueshme në sportin llapjan për vitin 2018.

Ndërsa, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, në fjalën e tij uroi sportistët llapjanë për sukseset e treguara gjatë këtij viti dhe shprehu përkushtimin e FFK-së për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve për futbollistët llapjanë, duke vazhduar me investime infrastrukturore dhe në programe që avancojnë sportin e futbollit.

Ceremonia e përzgjedhjes së Sportistit të Vitit 2018 në Komunën e Podujevës u zhvillua në nderim të legjendës Fadil Vokrri, i cili nga Kryetari i Komunës u nderua me ‘Mirënjohje për Vepër Jetësore’, ndërsa mirënjohjen djalit të tij Gramozit ia dhuroi nënkryetari Nexhmi Rudari.

Për rezultatet e treguara gjatë këtij viti, komisioni vlerësues sportist të vitit 2019 ka shpallur atleten Luljeta Shalën, nga Klubi i Atletikës Llapi, vendi i dytë i takoi atletes nga po i njëjti klub Rita Hjdini, ndërsa vendi i tretë i takoi futbollistit të KF Llapi, Hamdi Namani. Klubi më i suksesshëm u shpall Klubi i Atletikës Llapi, ndërsa trajneri më i mirë Lumbardh Shala, nga po i njëjti klub.

Punëtori sportiv më i mirë u shpall Gazmend Havolli, nga Klubi i Karatesë Llapi, ndërsa pedagogu më i mirë Bujar Hamiti, mësimdhënës i Kulturës Fizike në Shkollën Ekonomike Isa Boletini.

Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë të kategorive të reja, punëtorë sportivë, veteranë e gjyqtarë.

Me mirënjohje post mortum u nderua edhe ish futbollisti i KF Llapit dhe punëtori shumëvjeçarë sportiv Miftar Ajvazi.

Për promovimin dhe avancimin e sportit në arenën ndërkombëtare me mirënjohje u nderua edhe boksieri llapjan Tefik Bajrami.

Donator i vitit u shpall “Batatina Group”.

Ndërsa për prezantimin e aktiviteteve dhe rezultateve të klubeve sportive llapjane me mirënjohje u nderua gazetari i Radio Llapi, Enver Hyseni. Pjesë e programit për shpalljen e më të mirëve të vitit ishte edhe Shkolla e kitarës “Mirela”.

Exit mobile version