Komuna e Pejës ka dalë me një sqarim pas lajmit të plasuar në disa portale, që në këtë komunë janë disa persona të prekur me coronavirus.
Në njoftimin publik të bërë nga Komuna e Pejës bëhet e ditur se në këtë komunë nuk ka persona të infektuar me (COVID-19), transmeton Telegrafi.
“Para pak çastesh nga disa portale është shpërndarë një info për persona të infektuar me coronavirus në Pejë. Ju sigurojmë se ky lajm nuk është i vërtet. Rasti të cilit ju kanë referuar portalet ka të bëjë me një iniciativë private për dezinfektimin e një lokali”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se lokacioni është vizituar nga organet përgjegjëse.
“Organet përgjegjëse të angazhuara për të menaxhuar situatën pandemike e kanë vizituar lokacionin dhe e kanë konfirmuar se aty po bëhet një dezinfektim i hapësirës private si masë parandaluese dhe nuk ka të bëjë me coronavirus”, vijon njoftimi.
Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar tre raste me coronavirus, dy prej tyre janë nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një rast është një shtetase italiane e cila ishte me qëndrim në Klinë./Telegrafi/