Site icon Telegrafi

Komuna e Pejës: Objekti ku ndodhi keqtrajtimi i të moshuarës, nuk është nën menaxhimin e komunës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shtëpi të moshuarve në Pejë.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se si disa punonjëse të kësaj shtëpie kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar, derisa njëra prej tyre është treguar e pamëshirshme duke e goditur me shuplaka vazhdimisht.

Komuna e Pejës gjatë një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se institucionet që merren me përkujdesjen e të moshuarve nuk janë nën menaxhimin e Komunës.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës ka thënë se qendra në fjalë është një konzorcium shqiptaro-zviceran.

“Ka qenë një video trishtuese dhe e tmerrshme. Arsyeja që iu kemi thirrë është se institucionet që merren me përkujdesjen e pleqve nuk janë në menaxhimin e Komunës. Qendra aty është një konzorcium shqiptaro-zviceran, është biznes privat” ka thënë Zekaj.

Faik Zekaj tha se rasti i mbetet organeve të drejtësisë.

“Shpresojmë se kushdo që është përfshirë në rast meriton dënimin e merituar”, deklaroi Zekaj.

Policia tha se ka identifikuar dy të dyshuara, pasi në rrjetet sociale më 2 nëntor qarkulloi një video-incizim, ku shihej një punëtore në një shtëpi të pleqve në Pejë, duke ushtruar dhunë ndaj një gruaje të moshuar.

Nga ana tjetër Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se menaxhmenti i shtëpisë së pleqve duhet të japë llogari për keqtrajtimin e gruas së moshuar.

Ajo kërkoi nga qytetarët që të raportojnë tek autoritetet në rast se dyshojnë për keqtrajtim të familjarëve të tyre që gjenden në shtëpi të pleqve./Telegrafi/

VIDEO: Infermierja sulmon fizikisht një grua të moshuar në Pejë

Exit mobile version