Komuna e Pejës përmes një reagimi publik ka kërkuar nga qytetarët të kufizojnë lëvizjet me vetura gjatë ditës së sotme.
Në njoftim thuhet se pas vërshimeve që kanë ndodhur ditën e shtunë, rrugët kanë mbetur të mbuluara nga balta, andaj sot do të bëhet pastrimi i tyre.
“Të nderur qytetarë të Komunës së Pejës, kërkojmë nga ju që ditën e martë më datë 27.06.2023, maksimalisht t’i kufizoni lëvizjet me vetura nëpër rrugët e qytetit të Pejës.
Pas vërshimeve të ndodhura para 2 ditësh, rrugët në qytet kanë mbetur të mbuluara nga balta dhe zhavorri”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se me qëllim të pastrimit të tyre, Komuna e Pejës do të angazhoj disa cisterna, e ku do të ndihmohet edhe nga komunat e rajonit, Istogu, Deçani dhe Gjakova.
“Po ashtu për ndihmë na janë ofruar edhe shumë komuna tjera, për të cilën gjë ne ju jemi mirënjohës.
Andaj me qëllim të mos pengimit, mos dëmtimit eventual të veturave gjatë pastrimit të rrugëve dhe mos krijimit të tollovive në trafik, me mirëkuptim kërkojmë nga ju që maksimalisht të reduktoni lëvizjet me automjete nëpër rrugët në qytet”, vijon njoftimi.
Nga vërshimet e së shtunës kanë humbur jetën një 26 vjeçare bashkë me djalin e saj 5 vjeç, ndërsa disa qytetarë tjerë janë lënduar.
Vërshimet kanë shkaktuar edhe dëme të shumta materiale./Telegrafi/