Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në realizimin e projektit “Pastrimi i shtratit të lumit nga fshati Kozaricë,Breznicë, Stanoc i epërm dhe i poshtëm, deri në derdhjen e lumit Llap”.
Vlera e tërësishme e këtij projekti është 79,216.00 euro, ku komuna e Obiliqit do të bashkëfinancojë në vlerë 55,000.00 euro, ndërsa komuna e Vushtrrisë prej 24,216.00€ euro.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, këtë projekt të përbashkët e kanë cilësuar si shumë të rëndësishëm për të dy komunat e sidomos për fshatrat të cilat si rezultat i të reshurave janë vërshuar nga lumi Sitnica.
Gashi, po ashtu, ka falënderuar Kryetarin Tahiri, për bashkëpunimin e vazhdueshëm në projektet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve si dhe është shprehur se “me realizimin e këtij projekti do të zgjidhet problemi i vërshimeve për banorët e këtyre fshatrave.“
Në anën tjetër, Tahiri, ka falënderuar Gashin, duke theksuar se bashkëpunimi i tillë do të jetë në vazhdimësi në realizim e projekteve të rëndësishme për qytetarët e dy komunave.