Komuna e Mitrovicës i ka udhëzuar qytetarët t’i ndjekin disa masa të sigurisë në mënyrë që të mos paraqiten rreziqe të mundshme kur shkojnë të vizitojnë Parkun e Energjisë së Erës në Bajgorë.
Komuna ka udhëzuar qytetarët të mbajnë distancën minimale prej 500 metrash nga turbina e erës për t’u mbrojtur nga rreziqet e mundshme, veçanërisht gjatë dimrit, për të shmangur rreziqe të tilla si hedhja e akullit nga turbina dhe objektet që mund të bien, shkruan Telegrafi.
“Respektoni kufizimet e shpejtësisë gjatë vozitjes suaj në hapësirat e Parkut. Erërat e fuqishme, rënia e akullit dhe objektet që bien përbëjnë rrezik, prandaj mbani distancë të sigurt nga turbinat dhe pajisjet lëvizëse”, thuhet në njoftim.
Tutje qytetarët udhëzohen të qëndrojnë të informuar me komunikimet zyrtare lidhur me masat e sigurisë dhe funksionimin e turbinës.
“Hedhja e mbeturinave dhe ndezja e zjarreve janë rreptësishtë të ndaluara. Ecja jashtë rrugës është rreptësisht e ndaluar brenda Parkut të Energjisë së Erës. Ngasja jashtë rrugës paraqet rreziqe serioze për sigurinë për shkak të terrenit të pjerrët dhe rrezikut të aksidenteve ose përmbysjes së automjeteve”, thuhet tutje në njoftim.
Mes të tjerash bëhet e ditur se ngasja jashtë rrugës dëmton ndjeshëm përpjekjet e vazhdueshme për rehabilitimin dhe rivendosjen e mjedisit natyror në zonën e fermës së erës.
“Ju lutemi sigurohuni që të gjitha automjetet të qëndrojnë në rrugët e përcaktuara për të mbrojtur sigurinë tuaj dhe mjedisin. Kushtojini vëmendje të veçantë: rreziqeve në rrugë, rrëshqitjeve të dheut dhe zonave të cenueshme nga erozioni”, thuhet tutje në njoftim.
Komuna përsëri ka potencuar se ngasja jashtë rrugës është rreptësisht e ndaluar dhe se siguria e qytetarëve është prioriteti i tyre kryesor. /Telegrafi/