Telegrafi

Komuna e Mitrovicës nuk respekton vendimin e OSHP-së, dëmton buxhetin mbi 34 mijë euro (Dokument)

Më 9 qershor 2014, Komuna e Mitrovicës ka shpallur tenderin “Furnizimi dhe Montimi i Kontejnerëve nëntokësor për mbeturina në qytet”. Kompania NNSHT “Ideali” në Mitrovicë është shpallur fituese e këtij tenderi, ndërsa është kontraktuar edhe nga Komuna e Mitrovicës më 11 gusht të vitit 2014. Kjo kontratë pastaj është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke u bazuar në ankesat e dërguara nga kompanitë tjera pretendente.

Nga dokumenti i siguruar, OSHP konstatoi anulimin e këtij aktiviteti më 18 shtator të vitit 2014. Në vendim thuhet: “Eksperti shqyrtues në raportin e ekspertizës, të datës 8 shtator 2014, ka konstatuar se aktiviteti i prokurimit ‘Furnizimi dhe Montimi i Kontejnerëve nëntokësorë për mbeturina në qytet’, duhet të anulohet për faktin se në këtë aktivitet të prokurimit nuk ka pasur së paku dy oferta të përgjegjshme, ashtu siç kërkohet në Nenin 32, Paragrafi 4 I LPP-së dhe me Nenin 18, Pika 2.4 të Rregullores së Prokurimit Publik”.

Po ashtu, OSHP ka dalë me vendim për ritenderimin e këtij projekti.

“Eksperti shqyrtues, në raportin ekspertizës, të datës 8 shtator 2014, i propozon panelit shqyrtues që të aprovohet ankesa e OE ankues N.N.T. ‘EING COM’ dhe ankesa e OE ‘German Konstruction Group (GCG)’, dhe të urdhërohet Autoriteti Kontraktues që aktivitetin e prokurimit në fjalë ta kthejë në ritenderim”, thuhet në vendim.

Por, Komuna e Mitrovicës, disa ditë pas këtij vendimi nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, pa e ritenderuar këtë projekt, më 29 shtator 2014 shpall për fitues të tenderit kompaninë që kishte dërguar ankesë për këtë tender në OSHP – “German Construction Group” SHPK-Prishtinë – në vlerën prej 93.500 eurove.

Telegrafi kontaktoi zyrtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Përgjigja për këtë çështje është kjo: “Autoriteti Kontraktues, pas marrjes së vendimit nuk e ka njoftuar Panelin Shqyrtues me veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet”.

Lidhur me këtë çështje, Telegrafi ka provuar të sigurojë prononcime edhe nga zyrtarët kompetentë të Komunës së Mitrovicës, por pa sukses.

Kompania “Ideal” në Mitrovicë ka ofruar 59.381 euro për këtë tender. Dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Komunës së Mitrovicës me lidhjen e kontratës me kompaninë “German Konstruction Group” është 34.119 euro. /Telegrafi/