Telegrafi

Komuna e Mitrovicës ndihmon mjeket qe kthehen ne spitalin rajonal

“Kjo marrëveshje u vlerësua nga të dyja palët si shumë e rëndësishme meqë do të krijohen kushte për ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore për qytetarët e këtij rajoni. Me theks të veçantë u potencua fakti se kanë nisur të krijohen kushte që kuadrot e reja dhe ato që janë duke punuar në qendrat tjera të kthehen në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ka thënë se pas ndërtimit të objekteve të reja spitalore me ndihmën e Qeverisë së Norvegjisë, problemi kryesor ka qenë sigurimi i kuadrit mjekësor.

“Rrethanat ekzistuese pas luftës në Mitrovicë kanë rënduar tepër aspektin e shëndetësisë, meqë prej atëherë nuk ka pasur mundësi që qytetarëve të këtij rajoni t’u ofrohen shërbime cilësore shëndetësore. Në këtë segment qytetarët janë detyruar që edhe për probleme jo shumë delikate të drejtohen për në qendrat tjera të vendit. E gjithë kjo situatë ka bërë që edhe kuadri mjekësor të ikë nga Mitrovica”, ka thënë ai

Kastrati theksoi se do të merr të gjitha masat që ka në dispozicion që të tejkalohet ky problem. “Ne nuk mund të lejojmë që ky problem të mbetet i pazgjidhur. Kemi objektet spitalore dhe aparaturat moderne, prandaj duhet të krijojmë kushte atraktive që këtu të vijnë për të punuar mjekë të profileve të ndryshme”, shtoi kryetari i komunës.

Sa i përket detajeve të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Komunës dhe Spitalit, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Shaqir Demiri, sqaroi se Komuna do të ofrojë ndihmë dhe përkrahje profesionale për Spitalin me profile të ndryshme mjekësore. “Komuna do të merr përsipër kompensimin e të ardhurave personale në lartësi të mjekut specialist, mandej transportin në lartësi të shpenzimeve të komunikacionit publik si dhe shujtë ushqimi për çdo ndërrim të punës”.

Ai shtoi se në fazën e parë do të ndihmohet për 11 mjekë të profileve të ndryshme, në mesin e të cilëve janë dy kirurgë, një internist, një radiolog, një gjinekolog, një otorinolaringolog, dy oftamologë, një biokimist dhe dy dermatovenerolog. Ai theksoi se kompensimin e kujdestarive për festa dhe punë të natës do t’i mbulojë Spitali Rajonal.

Kënaqësinë për këtë marrëveshje të nënshkruar mes Komunës dhe Spitalit Rajonal, e ka shprehur edhe drejtoresha e këtij spitali, Drita Fazliu. Ajo tha se janë duke u bërë hapa të mirë në drejtim të krijimit të një qendre moderne për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Drejtoresha Fazliu, tha se nevoja për mjekë dhe staf të mesëm është shumë e madhe dhe për këtë presin zgjidhje nga institucionet qendrore. “Aktualisht kemi 312 punëtorë, ndërsa kemi nevojë për gjithsej 530 punëtorë për këtë spital me mbi 200 shtretër”. /Telegrafi/