Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka nënshkruar kontratë me 50 fermerë, të cilët kanë përfituar nga një serë të tipit “Tunel”, me sipërfaqe prej 50 metrave katrorë.
Në njoftimin për media thuhet se fermerët përfitues të serave, sipas kësaj kontrate, detyrohen që serën e përfituar ta shfrytëzojnë për rritjen dhe kultivimin e perimeve në mënyrë që të rritet aftësia konkurruese në treg.
Bahtiri shprehu vullnetin e tij dhe të komunës për përkrahjen e vazhdueshme të sektorit të bujqësisë, në mënyrë që të realizohen projekte të tjera të ndryshme, që do të jenë ndihmesë për bujqit e Mitrovicës.
“Unë ju uroj që ju pasi t`i vendosni këto sera, të filloni të punoni në kultivimin e këtyre perimeve dhe të keni përfitim nga puna e juaj. Ne do të vazhdojmë të ju mbështesim juve me shumë projekte tjera edhe në të ardhmen”, tha Bahtiri.
Ndërsa, drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, është shprehur i kënaqur që ecuria e përzgjedhjes se këtyre bujqve përfitues të serave, është realizuar gjithmonë sipas procedurave të parapara.
Ai tha se ky projekt implementohet me qëllim të stimulimit të fermerëve dhe rritjes së aftësisë konkurruese për prodhimin e perimeve.
Po ashtu potencoi se prioritet i tij gjatë udhëheqjes së Drejtorisë së Bujqësisë është realizmi i projekteve për zhvillimin e bujqësisë dhe lehtësimin e punës së fermerëve, me theks të veçantë në këtë vit fermerët do të ndihmohen me mekanizëm bujqësor, kredi bujqësore, fidane, bimë mjekësore aromatike, kompensime të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si dhe transportin e qumështit tek zonat e thella rurale. /Telegrafi/