Në seancën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, të mërkurën, është propozuar rritja e numrit të studentëve përfitues të bursave, që do të ndahen për vitin akademik 2024/2025.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se çdo vit kanë pasur kërkesa për rritjen e numrit të bursave.
“Propozoj që numri i bursave të rritet në 300. Çdo vit kemi pasur rritje të numrit dhe çdo vit kemi pasur kërkesa më tepër se që kemi pasur mundësi”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se “nëse mjetet shtesë nuk kanë bartje të të hyrave duke i’u referuar nga bartjen e të hyrave, ndërsa në rast se nuk kemi bartje të të hyrave, mjetet shtesë do të ekzekutohen nga akademia e subvencioneve në grandin për shërbime sociale”, transmeton Telegrafi.
Kuvendi ka miratuar edhe propozim-vendimin për lejimin e mjeteve financiare nga subvencionet për familjet e prekura nga vërshimet dhe shembja e dheut në Mitrovicë dhe kërkesën për vazhdimin e marrëveshjes me Këshillin e Bashkësisë Islame në Mitrovicë për mbulimin e shpenzimeve të varrimit.
Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi për formimin e komisionit për ndarjen e çmimit “Lah Nimani”. /Telegrafi/