Komuna e Mitrovicës ka reaguar pas deklaratave se kjo komunë po shkatërron arsimin.
Në reagimin e komunës thuhet se si duket PDK-ja në Mitrovicë, nuk po mundet kurrsesi të mësohet me qëndrimin në opozitë, andaj edhe nuk po i ndërprenë asnjëherë shpifjet për kinse shkeljet ligjore të pushtetit aktual në Mitrovicë.
“Ato që PDK-ja ka thënë para gazetarëve në konferencë, përmes zëdhënësit Haxha, i cili mbanë konferencë politike gjatë orarit të punës, janë gënjeshtra të trilluara që shpërfaqin edhe njëherë urrejtjen e drejtuesve të kësaj partie ndaj udhëheqjes aktuale komunale. Është gënjeshtër e kulluar ajo kur thuhet se në komunën e Mitrovicës po bëhet shkatërrim masiv i arsimit në këtë komunë. Jo që kjo nuk qëndron në asnjë mënyrë, por është shumë e vërtetë se arsimi në Mitrovicë kurrë nuk ka qenë më i konsoliduar”, thuhet në reagimin e komunës.
Sipas tyre, në Mitrovicë vetëm në këtë fillim u përuruan dy objekte moderne shkollore dhe pritet që këto ditë të përurohet edhe një objekt tjetër, më bashkëkohor në Kosovë.
“Në komunën e Mitrovicës aktualisht asnjë punëtorë i arsimit nuk ka mbetur jashtë listës së pagave, problem ky që e kishte krijuar vet PDK sa ishte në pushtet, duke punësuar militant partiak, kur kishte mbi 30 mësimdhënës që nuk merrnin pagat për punën e tyre që bënin. Gënjeshtra tjetër e z. Haxha është ajo, konstatimi se drejtori i Drejtorisë për Arsim, Pajazit Hajzeri, ka punësuar gruan e tij në arsim dhe është duka ia paguar shpenzimet e studimeve Master nga paratë e taksapaguesve, është gënjeshtër tjetër e thënë në këtë konferencë”, thuhet në reagim.
“Njoftojmë qytetarët e Mitrovicës dhe opinionin e gjerë, se gruaja e drejtorit Hajzeri, Arberina Hajzeri, është e punësuar në arsim në komunën e Mitrovicës që nga 01.09.2009, në kohën kur drejtor i Arsimit ishte Rizah Haziri i PDK-së. Ajo më 23.07.2014, ka mbrojtur temën master nga pedagogjia, duke marrë kështu titullin Master i Pedagogjisë së Përgjithshme dhe në janar të vitit 2015, emërohet pedagoge në shkollën ‘Fazli Graiçevci’ në Shipol. Ndërsa, në fillim të këtij viti, me kërkesë të Shkollës së Mjekësisë ‘Dr Xheladin Deda’, është angazhuar si pedagoge edhe në këtë shkollë, për plotësim norme”, thuhet në njoftim.
“Edhe pohimet tjera, se kinse Enver Uka, profesor i Shkollës së Mjekësisë punon vetëm me dhjetë orë mësimi e paguhet për njëzet dhe se Enis Kelmendi ka qëndruar tre muaj jashtë shtetit dhe është paguar me paratë e taksapaguesve, nuk qëndrojnë fare dhe janë shpifje”, thuhet ndër të tjera.
Po ashtu thuhet se është e turpshme që për uzurpimin e mbi 400 banesave të shqiptarëve nga ana e serbëve atje, të fajësohet Agim Bahtiri.
“Nëse ndokush nga shqiptarët mbanë përgjegjësi për këtë, atëherë janë ata drejtuesit e Degës së PDK-së në Mitrovicë, të cilët me sjelljet, qëndrimet dhe mos punën e tyre, me të madhe i kanë kontribuua ndarjes përfundimtare të qytetit. Ndonëse kryetari aktual i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri nuk është përgjegjës në asnjë mënyrë për këtë, ai asnjëherë nuk është ndalur së kërkuari nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare, që të merren me këtë çështje dhe ato tu lirohen pronarëve të tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/