Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Blegtori, sot ka nënshkruar marrëveshje me dhjetë fermer, për ndërtimin e shtallave. Ky është projekti i parë në bujqësi për vitin 2019, ku përfitues janë dhjetë fermer blegtor. Në ceremoninë e nënshkrimit me fermer, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, të cilët kanë thënë se “bujqësia do të vazhdoj të mbetet prioritet edhe për vitin 2019”.
“Ai që punon, e ndërton edhe shtetin dhe unë uroj që kjo përkrahje e jona, të ju shpërblehet juve me të mirat që mund ti keni nga puna e juaj dhe fermat juaja. Kjo është një ndihmë jo shumë e madhe, por besoj që do të ju ndihmoj në punë, për të mirën e juaj dhe të familjeve të juaja, dhe uroj që këtë përkrahje për ndërtimin shtallave, ta shfrytëzoni në mënyrën më të mirë”, tha kryetari Begaj, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me dhjetë fermerët përfitues.
“Ky është projekti i parë për këtë vit dhe këta janë dhjetë fermerët përfitues. Ne jemi duke u munduar që brenda mundësive tona buxhetore, ti përkrahim fermerët në veçanti dhe bujqësinë në përgjithësi”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha.
Edhe fermerët janë shprehur të kënaqur dhe e kanë vlerësuar si një ndihmë e madhe për ta, pasi tani do të kenë kushte më të mira për fermat e tyre, kurse ndërtimi i shtallave moderne, ju jep mundësi që të rrisin edhe cilësinë e produkteve. /Telegrafi/