Si pasojë e vërshimeve që u shkaktuan nga reshjet e shiut e borës, komuna e Kamenicës ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes emergjente.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, përmes këtij vendimi ka obliguar Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, që të koordinojë dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për evidentimin e dëmeve dhe sanimin e tyre, në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera relevante në Komunë.
“Ekipet Komunale dhe ekipet e Zjarrfikësve, janë gjatë gjithë kohës në terren për sanimin e problemeve aty ku ka nevojë.
Për të gjithë̈ qytetarët e Komunës së Kamenicës, të cilët vazhdojnë të kenë problem nga vërshimet e ditëve të kaluara, këta numra janë në dispozicion për kontakt: 080011010 deri në orën 16:00, ndërsa edhe pas orës 16:00 të kontaktojnë në numrin 045549182, në çdo kohë që ata kanë nevojë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe Qeveria në detyrë e Kosovës ka bërë të ditur se do të themelojë një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë familjeve që janë prekur nga vërshimet e ditëve të fundit. /Telegrafi/