Komuna e Kamenicës është shpërblyer nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në fushën e Mjedisit me një grant në vlerë prej 111,147.00 euro.
Ky është granti i dytë me të cilin shpërblehet Komuna e Kamenicës, pas grantit të fituar për performancë të mirë komunale.
Kryetari Qëndron Kastrati është shprehur i lumtur, duke thënë se puna e mirë e kësaj qeverisje po shpërblehet.
“Puna e mirë e kësaj qeverisje, po shpërblehet me grant prej 111, 147.00 euro, edhe në fushën e Mjedisit. Shumë i lumtur që pos grantit të fituar për performancë të mirë komunale, Kamenica është fituese e një granti tjetër nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, atë për Mjedis të Pastër”, tha ai.
Sipas Kastratit, nga performanca e mirë komunale, për vitin 2021, buxhetit të komunës i janë shtuar rreth 397 mijë euro.
“Nga performanca e mirë dhe efektive e qeverisjes, kemi arritur që buxhetit të komunës për vitin 2020 t’i shtojmë edhe rreth 397 mijë euro. Ky është granti i dytë që Kamenica fiton në sferën mjedisore”, ka thënë ai.
Kujtojmë që pas grantit prej 150 mijë eurosh, “Ta pastrojmë Kosovën”, ky është granti i dytë në fushën e mjedisit, me të cilin është shpërblyer Kamenica.