Site icon Telegrafi

Komuna e Istogut vendos për fillimin e mësimit nga nesër

Komuna e Istogut ka njoftuar se greva e mësimdhënësve, e cila ka nisur javën e kaluar, për shkak të pakënaqësive për koeficientin e punonjësve të arsimit të paraparë në Projektligjin për Paga, do të ndërpritet nesër.

Sipas një njoftimi të Komunës, ky qëndrim është marr pas një takimi mes kryetarit të Istogut, Haki Rugova, DKA-së dhe drejtorëve të shkollave të mesme dhe fillore.

“Gjatë takimit të sotëm të mbajtur në mes të kryetarit të Komunës Haki Rugova, drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Hajrush Shoshi, si dhe drejtorëve të shkollave të mesme dhe fillore të komunës së Istogut u arrit pajtueshmëria që procesi mësimor në komunën e Istogut duhet të rifillojë qysh nga nesër më 23.01.2019. Ky qëndrim unanim është arritur nga të pranishmit në mbledhje, marrë parasysh interesin e nxënësve në radhë të parë. Gjithashtu kryetari Rugova apeloi që mos te politizohet ngritja e pagave nga ana e SBAShK-ut pasi është duke e dëmtuar procesin mësimor në komunën e Istogut”, është thënë në njoftimin e Komunës së Istogut.

Lexo po ashtu SBASHK-u thirrje kryetarëve të komunave: Mos bëni presion për ndërprerje të grevës

Kryetari i kësaj Komune, Haki Rugova tha për Kallxo.com se ky vendim është marrë për të mirën e nxënësve.

“Është bërë një apel për ndërprerje, unë s’kam marrë asnjë vendim por me drejtorët e shkollave njëzëri apeluam që për hir të nxënësve të fillojë mësimi, sepse po vuajnë nxënësit, po ka pasoja të mëdha”, tha Rugova.

Lexo po ashtu Këshilli i Prindërve: Greva e SBASHK-ut, puro politike

Ndërsa, SBAShK-u përmes një njoftimi sot u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave dhe DKA-ve që të mos u bëjnë presion mësimdhënësve për grevën.

Exit mobile version