Telegrafi

Komuna e Gostivarit vitin e ardhshëm do të ketë buxhet prej 1.2 miliardë denarëve

Me mbështetje unanime, anëtarët e këshillit të Komunës së Gostivarit votuan buxhetin për vitin 2023.

Propozuesi, kryetari Arben Taravari para këshilltarëve përmendi se gjatë hartimit të dokumentit i kanë paraprirë konsultimet me qytetarët, organizatat joqeveritare, ndërmarrjet publike dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

“Edhe vitin e ardhshëm do të ketë trend uljesh të shpenzimeve për kryetarin e komunës. Krahasuar me vitin 2017, kur ato shpenzime ishin 15 milionë denarë, për vitin e ardhshëm është planifikuar të jenë dyfish më pak, gjegjësisht 8,2 milionë”, tha Taravari.

Anëtarët e partive opozitare në Këshillin e Komunës së Gostivarit bënë disa vërejtje dhe vlerësuan se buxheti është joreal. Lek Dalipi nga radhët e BDI-së theksoi se kanë dhënë mbështetje që, siç ka përmendur ai, të mos përmenden si frenues të projekteve nga të cilat përfitojnë qytetarët.

Shumica e mjeteve në arkën e komunës janë për paga, subvencione dhe janë planifikuar investime: në shkolla 8 milionë, mbrojtje mjedisore 6 milionë, mbrojtje sociale 800 mijë dhe 600 mijë të tjera për barazi gjinore, kulturë një milionë.

Për vitin e ardhshëm janë planifikuar 120 milionë denarë për investime kapitale në infrastrukturë.

Në seancën e fundit për këtë vit, pushteti vendor prezantoi para këshilltarëve se realizimi i buxhetit për vitin e kaluar 2022 arriti në 96.5 për qind.