Telegrafi

Komuna e Gostivarit thotë se Bejta e zbrazi arkën e komunës

Komuna e Gostivarit sot me një komunikatë drejtuar Telegrafit në Maqedoni ka njoftuar qytetarët për gjendjen e komunës pas ndërrimit të kryetarit.

”Ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, pasi që humbi zgjedhjet lokale dhe u përshëndet me administratorët komunalë, ka zbrazur arkën e komunës, duke mos lënë mjete financiare për pagën mujore të të punësuarve. Për tre ditë pas raundit të dytë zgjedhor, më datë 30, 31 tetor dhe 1 nëntor, Komuna e Gostivarit, me urdhër të ish kryetarit Nevzat Bejta, ka kryer transaksione me vlerë të përgjithshme prej 6.774.276,00 denarë, ose në kundërvlerë rreth 111.053 euro. Me këto mjete, shuma e të cilave është e mjaftueshme për pagat e të punësuarve në Komunë dhe shpenzime rrjedhëse, Bejta kryesisht ka larë borxhet ndaj firmave të afërta me të dhe që kanë financuar kampanjën e tij të shtrenjtë, në zgjedhjet lokale” thuhet në mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Gostivarit.

Përndryshe, Arben Taravari dhe këshilltarët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet lokale morën detyrën dhe çertifikatat e punës në komunë. /Telegrafi/