Telegrafi

Komuna e Gostivarit shpall konkurs për sheshin e qytetit

Përmes një konference për shtyp, Jeton Salija, kryeshef i Sektorit për Urbanizëm në Komunën e Gostivarit, njoftoi opinionin publik për shpalljen e konkursit për përpunimin e zgjidhjes ideore arkitektonike – urbanistike për rregullimin e hapësirës urbane publike në sheshin e qytetit në përputhje me planet aktuale urbanistike, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Sheshi do të kthehet në një pedonale dhe do t’u ofrojë mundësinë banorëve që të shkëputen për një moment nga jeta e përditshme e qytetit. Ky shesh do të përfaqësojë unitetin e qytetit, pasi do të ketë elementë nga e kaluara e jonë. Bëhet fjalë për një ndërhyrje dhe transformim të jashtëzakonshëm në zemrën e Gostivarit. Ndryshe nga qytetet e tjera, nuk do duhet të ndërtojë një shesh nga e para, por do të duhet të demokratizojë një hapësirë të konceptuar kohë më parë nga e kaluara moniste. Dhe faktikisht ne e nisëm këtë projekt me këtë ambicie, që të demokratizojmë vizionin që është aty dhe të transformojmë hapësirën e trashëguar në një hapësirë, ku e sotmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë me njëra-tjetrën dhe ku çdo kush që bëhet pjesë e asaj hapësire të ketë sensin se nga vjen, ku është dhe ku shkon”, deklaroi Salija.

“Me zgjidhjen ideore arkitektonike duhet të arrihet funksionalitet dhe formësimin e fasadave të objekteve përgjatë rrugëve të qendrës së qytetit të Gostivarit me rrugët kryesore përreth respektivisht trotuaret, me trajtim të veçantë të qasjes sa më të lirshëm për këmbësorë dhe infrastrukturën e trafikut dhe me shndërrim të përkohshëm në këtë pjesë të shëtitores në periudhën e verës në orët e mbrëmjes”, tha mes tjerash, Salija./Telegrafi/